Shqipëri

Berisha dënohet për lajme të rreme dhe obligohet ta dëmshpërblejë Ramën si të dëmtuar me mbi 4 mijë euro

Gjykata e Tiranës vendosi sot të dënojë për përhapje lajmesh të rreme ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe të dëmshpërblejë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me shumën 500 mijë lekë (4097.67euro), si person i dëmtuar nga një shkrim në rrjetet sociale.

Zëdhënësja e gjykatës, Alba Nikolla, konfirmoi vendimin që mori sot gjyqtarja Mariana Shegani (Dedi), i cili përfshin edhe “detyrimin e palës së paditur të publikojë përgënjeshtrimin në faqen e tij në “Facebook” në lidhje me deklaratën e tij në atë rrjet social më 15 tetorin e 2018 me titull “Fundi i kakistokracisë së kallam dështakut po troket”, brenda 10 ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit”, përcjell Zëri i Amerikës.

Ky shkrim, i cili tashmë është hequr nga faqja e Berishësh në Facebook, fliste për takimet e kryeministrit Edi Rama në Berlin, i cili sipas paditësit përmban disa të pavërteta.

Gjyqtarja vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë dhe detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë me afro 5 mijë dollarë amerikanë palën paditëse, e cila ishte shprehur për dyfishin e kësaj shume.

Zyra e ish-kryeministrit reagoi të premten në mbrëmje pas interesimit nga “Zëri i Amerikës”, me një deklaratë, ku theksoi se kjo është vazhda e fushatës së kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri.

“Zoti Rama keqpërdori gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, sot nëpërmjet gjykatës së Tiranës vendosi pranoi pjesërish padinë e tij për cënim nderi dhe dinjiteti. Objekt i shqyrtimit ishte një postim në FB, në të cilin ilustrohej dhe bëhej një koment politik mbi një artikull të publikuar më parë nga media të pavarura” – thuhet në reagimin e zyrës së ish-kryeministrit Berisha.

Sipas deklarimit nga zyra e Berishës, në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli i cili përbënte burimin e lajmit.