“Beogradi shtëpia ime”, futbollisti kosovar bën bujë në Serbi
“Shtëpia juaj është…?”, një pyetje drejtuar Suad Sahitit, që tashmë ka hapur polemika. Sulmuesi anësor që luan në Poloni është përgjigjur qartë: “Në Beograd. Kam lindur dhe jam rritur atje. Kam edhe një shtëpi dhe një familje në Prishtinë. Kjo është shtëpi ime e dytë”.
Kjo intervistë e dhënë për “pilkarskie-balkany” ka bërë bujë në mediat serbe, që kanë vrapuar të dalin me titujt: “Futbollisti i të quajturës Kosovë: Beogradi shtëpia ime”. Kjo normalisht nuk i ka pëlqyer futbollistit që luan për Kosovën, i cili sigurisht me një deklaratë të tillë i hap vetes shumë probleme me bashkëkombësit e tij.
Sahiti ka nxituar të sqarojë përmes një postimi në rrjetet sociale: “Të dashur qytetar, në një intervistë që kam dhënë në një medium, shkrimi është me tendencë dhe i nxjerrë nga konteksti. Jam i lindur dhe i rritur në Beograd, por shtëpia ime është Prishtina dhe gjithë Kosova.
Sporti dhe politika bashkë nuk shkojnë. Mund të thuhet e shkruhet cckado, por asgjë nuk mund ta ndryshojë krenarinë time për familjen dhe prejardhjen time. Unë jam kosovar dhe me krenari kam veshur fanellën e kombëtares së Kosovës. Ëndrra ime është ta shoh Kosovën në kampionatin europian”.