Lajme

“Beogradi nxit tensione parazgjedhore te serbët e Kosovës”

Beogradi zyrtar e ka rritur presionin ndaj qytetarëve serbë të Kosovës që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ata të votojnë për Listën Serbe, thonë përfaqësuesit e tri subjekteve tjera politike rivale, koalicionit “Liria”, Partisë së Serbëve të Kosovës dhe Partisë së Pavarur Liberale, të cilat i takojnë komunitetit serb të Kosovës.

Për më shumë, sipas tyre, presioni i formave të ndryshme, është duke u ushtruar edhe ndaj përfaqësuesve, aktivistëve dhe simpatizuesve të subjekteve politike serbe, për ta zbehur dhe dobësuar garën e tyre për zgjedhjet e 6 tetorit.

Rada Trajkoviq nga koalicioni “Liria”, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni ndaj qytetarëve serbë të Kosovës është duke u bërë me kërcënimin se do t’i humbin vendet e punës në rast se ata votojnë kandidatë të subjekteve tjera politike serbe dhe jo të Listës Serbe, e cila gjatë 7 vjetëve të fundit ka qenë në pushtet.

Frikësimi i qytetarëve serbë, sipas saj, po bëhet në forma të ndryshme nga Beogradi.

“Fatkeqësisht, për momentin, presioni më i madh mbi serbët është duke ardhur nga Beogradi, nga disa qendra joformale, marrë parasysh që kemi informata që një grup i njerëzve i afërt me mafinë ose vetë mafia, këtë nuk e di, ka depërtuar te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës), në Qendrën Ekologjike. Sipas asaj që thonë serbët nga veriu, ardhja e atyre njerëzve është në funksion të frikësimit të serbëve”, thotë Trajkoviq.

Lidhur me pohimet e Rada Trajkoviq, kërcënimet e mundshme ndaj qytetarëve serbë dhe presionin eventual për të ndikuar në procesin zgjedhor, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për ndonjë hetim, por i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në aspektin policor, e trajton çdo informacion dhe në përputhje me vlerësimet, ndërmerr veprimet e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, parti kjo e cila ka fushëveprim më të madh në veri të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni ndaj qytetarëve serbë, i cili ka ekzistuar edhe më herët, tashmë është shtuar para zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Ne, si parti, kemi presion të madh dhe të tmerrshëm këtu në veri, i cili është shkaktuar nga ana e institucioneve të Qeverisë së Serbisë, si dhe nga struktura të caktuara kriminale, të cilat u janë të njohura mirë Policisë së Kosovës dhe përfaqësive diplomatike ndërkombëtare në Kosovë. Përveç pamundësimit të një veprimi normal politik, këtu ekziston një dozë e madhe e frikës dhe kjo frikë është rezultat i kërcënimeve dhe dhunës së pandërprerë të serbëve ndaj serbëve”.

“Kjo është e dirigjuar nga Beogradi me qëllimin që të frikësohen të gjithë serbët që mendojnë ndryshe nga politika zyrtare e saj, si dhe të nënshtrohen dhe dëgjojnë direktivat që vijnë nga Beogradi, e të cilat vijnë më shumë përmes qarqeve që janë më shumë kriminale dhe joformale se sa që janë zyrtare”, thotë Jabllanoviq.

Për presionin ndaj përkrahësve të subjekteve rivale të Listës Serbe, ka folur për Radion Evropa e Lirë edhe Slobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale.

“Kemi disa fakte. Ja, pikërisht,një njeri në Shtërpcë është pushuar nga puna. Ai është kryetar i këshilli tonë në Komunën e Shtërpcës. Ai ka punuar atje në shëndetësi dhe është pushuar nga puna nga eprori i tij, për shkak se nuk i është përulur kërkesës së tij që të shpërndajë këshillin e Partisë së Pavarur Liberale dhe që publikisht të dalë dhe ta përkrahë Listën Serbe”, thekson Petroviq.