BE-ja u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë për vaksinimin
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bashkëpunojnë për vaksinimin kundër koronavirusit.
Mirëpo, BE-ja nuk është përgjigjur në mënyrë të qartë se si i shohin kritikat nga Kosova për “sjelljen në mënyrë joligjore të disa dozave të vaksinave nga Serbia”.
“Ne jemi duke ndjekur zhvillimet dhe duke i shikuar raportet për këto zhvillime që kanë të bëjnë me shpërndarjen e vaksinave. Autoritetet në Serbi dhe në Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në përputhje me aranzhimet relevante nga dialogu për lëvizjen e mallrave dhe certifikimin e prodhimeve farmaceutike”, ka thënë në një përgjigje me shkrim, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri.
Serbia pati dërguar një sasi të kufizuar të dozave të vaksinave në veri të Kosovës në fund të dhjetorit, dhe kjo, nga Qeveria e Kosovës ishte konsideruar si akt “joligjor” duke paralajmëruar edhe masa.
Ndërsa në konferencën e fundit për media, vitin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi vendi tij do të vazhdojë të kujdeset për njerëzit në Kosovë, duke shtuar se Serbia nuk rrezikon askënd duke dërguar një dozë vaksinash në veri të Kosovës.
Shqetësim për këtë veprim kishte shprehur edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti. Sipas një njoftimi nga Qeveria e Kosovës kjo çështje ishte ngritur në bisedën që Hoti kishte pasur me Komisionarin e BE-së për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Verhelyi.
Në anën tjetër, nga BE-ja vetëm konfirmuan se Verhelyi kishte biseduar me Hotin për fushatën e vaksinimit, dhe e kishte njoftuar atë me ndihmën që po e ofron BE-ja përmes dhënies së 70 milionë eurove shtesë për tërë Ballkanin Perëndimor, por nuk konfirmuan se dikush në emër të BE-së e kishte quajtur si “të papranueshme” dërgimin e vaksinave nga ana e Serbisë në veri të Kosovës.
Sipas disa burimeve në Bruksel këtë në bisedë e kishte shprehur vetëm Hoti, por jo edhe dikush nga BE-ja./REL/