BE-ja e quan hap pozitiv vendimin e Serbisë për targat, pret lëvizje të ngjashme nga Kosova
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se BE-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë për të lejuar lirinë e lëvizjes për automjetet me targa RKS.Nga Bashkimi Evropian thonë se tani presin hapa të ngjashëm nga Kosova, teksa e shohin këtë vendim si hap që tregon se “është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Ky vendim paraqet një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe angazhimet e mëparshme nga dialogu lidhur me lirinë e lëvizjes. Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të stikerasve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Peter Stano në një deklaratë për N1.Qeveria e Serbisë ka vendosur të hënën që të lejojë që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj.
Vendimin e ka shpalosur drejtori per Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq duke thënë se po e implementojnë një marrëveshje të nënshkruar nga Borko Stefanoviq, tani opozitar serb.
Petkoviq ka thënë se me këtë vendim Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se targat s’janë simbol i shtetësisë sipas tij. Ai ka përmendur edhe pajisjen me targa RKS kohëve të fundit duke thënë se përfaqësuesit e Kishës Ortodokse i përdorin ato.
Petkoviq theksoi se një njoftim se Serbia nuk e njeh Kosovën do të vendoset në të gjitha pikat kufitare dhe administrative.
Sipas tij, ky vendim “nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tekstin e mohimit.