Lajme

BE-ja e kërkon Asociacionin si pjesë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Zyrtarë të Bashkimit Evropianit kanë thënë se, Asociacioni është detyrim, të cilin Kosova duhet ta përmbushë dhe se i njëjti duhet të përfshihet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, për të cilën janë duke u zhvilluar negociata në Bruksel. Zëdhënësi i BE-së për punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë ka thënë për “Kohën” të martën se i takon palës kosovare t’i propozojë modalitetet, duke listuar obligimet që Kosova i ka marrë prej vitit 2013.

“Në vitin 2013 Kosova hyri në marrëveshje për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar dhe tërhequr. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me një shumicë prej 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë Stano. Por një ditë më herët, në zyrën e Kryeministrit Hoti kanë thënë se, Asociacioni nuk do të shtrohet për diskutim në Bruksel teksa kanë konfirmuar se obligimi për themelimin e tij do të përmbushet duke respektuar Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes së gushtit të vitit 2015.

Por Peter Stano ka thënë se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin/ Bashkësinë zakonisht po keq interepretohet.

“Gjykata kurrë nuk ka thënë se Asociacioni/Bashkësia nuk mund të themelohet. Prandaj, ne presim që Kosova të respektojë angazhimet që ka ndërmarrë në dialog. Çështja e aranzhimeve për komunitetin jo-shumicë – Asociacioni/Bashkësia duhet të adresohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse ashtu siç është rënë dakord në takimet e para të liderëve në korrik 2020 dhe pastaj ri-konfirmuar në raundin e fundit më 7 shtator 2020”, ka theksuar ai.

Stano ka dhënë këtë qëndrim ditën kur Kosovën dhe Serbinë po e viziton Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.