Shqipëri

Basha thirrje Presidentit: Mos dekreto këtë atentat kundër fjalës së lirë

Kreu i opozitës Lulzim Basha i ka bërë thirrje Presidentit Meta të mos dekretojë ligjin e ri ‘Për mediat’ i cili u miratua sot në Kuvend me 82 vota pro.

“I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë këtë atentat kundër fjalës së lirë që rikthen ligjin famëkeq të diktatures për agjitacion e propagandë.”

Në një postim në Facebook, Basha akuzon kryeministrin Rama se nëpërmjet këtij ligji “urgjencë tenton ti mbyllë gojën gazetarëve shqiptarë” dhe kjo sipas tij u bë me urgjencë sepse “qeveria Rama po përgatit vjedhjen e rradhës, kësaj here mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.”

Basha i ka cilësuar projektligjet e miratuara sot si akte të turpshme kriminale të cilat e çojnë “vendin dhe qytetarët shqiptarë shumë hapa pas në rrugën e integrimit europian dhe sjell pasoja të rënda për të ardhmen e tyre.”

“Partia Demokratike do të vazhdojë të denoncojë me zë dhe me figurë çdo skandal, çdo fakt abuziv, çdo dështim të radhës të këtij kryeministri në ikje!

Ju bëj thirrje të gjithë gazetarëve dhe analistëve, të gjithë opinionistëve dhe personave publikë të mos intimidohen dhe të vazhdojnë bashkë me opozitën të denoncojnë çdo aferë dhe skandal të kësaj qeverie në ikje!

Asgjë dhe askush nuk do na e mbyllë dot gojën!”, shkruan kryetari i Partisë Demokratike. /Opinion.al