Shqipëri

“Basha, boll!”/ Protestë në selinë e Partisë Demokratike, kërkohet largimi i Lulzim Bashës

Në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, ka patur një protestë nga simpatizantë të kësaj force politike, që kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare për herë të dytë.

Një ndër zërat që ka bërë thirrje për largimin e Bashës nga drejtimi i PD, është edhe ish-kreu i PD në Kukës, Ibsen Elezi.

Kujtojmë se ditën e djeshme ish presidenti, Bujar Nishani, bëri thirrje për largimin e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike, duke e quajtur atë “të paaftë” dhe duke deklaruar se po uzurpon partinë.

Edhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Fatbardh Kadilli, ka kërkuar largimin e Bashës, duke shpallur edhe kandidaturën e tij.

Po kështu një tjetër emër i njohur i kësaj partie, Arben Ristani, ka deklaruar se Basha duhet të tërhiqet.

Me sa duket, brenda Partisë Demokratike, po formësohet një opozitë ndaj Bashës, që kërkon dorëheqjen e tij, pas dështimeve të njëpasnjëshme.

Kreu i PD, u shfaq ditën e djeshme para selisë së partisë, por nuk sqaroi nëse do t’i njohë apo jo zgjedhjet dhe nëse do të largohet apo jo nga partia.