Të fundit

PDSH fton në takim PVD’n dhe LR’n, për të biseduar rreth krijimit të qeverisjes së re

Vazhdojnë negociatat për krijimin e qeverisjes së re në Preshevë pas rreth një muaj bisedime mes tri partive PDSH, PVD dhe LR.

Vazhdimin e negociatave e ka konfirmuar Partia për Veprim Demokratik përmes një njoftimi të publikuar në faqen e PVD-së në rrjetin social facebook.

Edhe pse Partia Demokratike Shqiptare disa ditë më parë lëshoi një komunikatë pas mbledhjes së kryesisë, përmes së cilës deklaroi se pozita e kryetarit të Komunës së Preshevës është e panegociushme, ajo sot ka ftuar takim për të biseduar rreth formimit të një shumice të re.

Sipas burimeve të PreshevaPRESS, takimi do të mbahet sonte me fillim në ora 21:30, e që pjesëmarrjen e ka konfirmuar publikisht PVD, derisa LR nuk është deklaruar ende.

Partia për Veprim Demokratik është tërhequr nga bisedimet pasi që PDSH ka thënë se pozita e kryetarit të Preshevës është i panegociushëm. Ende nuk dihet nëse PDSH është tërhequr nga ky kusht derisa ka thirrur takimin e sontshëm.

Në vazhdim po ju sjellim njoftimin e plotë të PVD-së, të publikuar në faqen e saj në rrjetin social facebook:

Njoftojmë opinionin se Partia për Veprim Demokratik i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, z.Ragmi Mustafa, për vazhdimin e negociatave lidhur me krijimin e qeverisjes së re lokale.

E rëndësishme është se negociatat vazhdojnë pa parime të panegociueshme, që është parakusht për mbarëvajtjen e tyre dhe për kurorëzimin e tyre me një marrëveshje eventuale për koalicion të partive opozitare shqiptare ndaj Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe.