Lajme

Bajrami: Shkëmbimi territorial dhe Asociacioni i Komunave serbe nuk duhet të pranohen

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se shkëmbimi territorial dhe Asociacioni i Komunave serbe nuk duhet të pranohen.

Ai thotë se nuk duhet të negociohet identiteti i Kosovës.

“Është shumë me rëndësi se çfarë do të negociohet, çfarë guxojmë të negociojmë dhe deri ku mund të negociojmë. Nuk mund të negociohet identiteti i shtetit të Kosovës, ajo çfarë jemi sot. Të gjitha kompromiset që mund t’i bëjë një shtet Serbisë, si shtet, serbëve si komunitet në Kosovë ne i kemi bërë me planin e Ahtisarit, me shpalljen e Kushtetutës dhe me deklaratën e Pavarësisë. Në të tri proceset kam qenë pjesëmarrës dhe e di se sa e vështirë është t’i bësh ato kompromise. Pavarësia jonë është shpallë mbi dy kompromiset globale të mëdha, të lindë një shesh me një pavarësi të mbikëqyrur dhe serbëve t’iu jepet një pozicion i paparë kushtetues me një diskriminim pozitiv dhe me të drejta që nuk janë në asnjë kushtetutë evropiane. Shtrohet pyetja, çfarë mund të bëjë Kosova më shumë? Ky shtet i ka rrënjët në deklaratën e Pavarësisë, në Kushtetutë dhe në vendimin e GJND-së. Çfarëdo që bëjmë përtej këtyre akteve ne kemi cenuar identitetin tonë kushtetues”, ka thënë Bajrami.

Ai shtoi është zgjuarsia e politikanëve, që mos të mbeten rob të tezave serbe dhe mos të pranojnë tema që cenojnë identitetin.

“Në radhë të parë janë dy gjëra që nuk duhet assesi të pranohen: Ideja e shkëmbimit territorial e rishikimit të kufijve është një ide që do ta dëmtonte këtë shtet, ideja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të krijonte një autonomi politiko-territoriale për serbët. Nuk do të quhej ajo Republika serbe në Kosovë, por de-facto do ta cenonte komplet funksionalitetin, integritetin dhe karakterin unitar të shtetit”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij për këto dy çështje nuk është turp me iu thënë edhe amerikanëve edhe evropianëve mos ejani me na thënë me i diskutuar kçto.

“Gjëra të tjera ka mjaft dhe zgjuarsia e politikës është të ofrojë ofertën për paqe që ka kufijtë e vet dhe që nuk shkon përtej kufijve”, ka thënë ai.