Lajme

Austria zbulon mashtrimin e madh nga 1 mijë kosovarë

Ministria e Brendshme e Austrisë ka zbuluar një mashtrim të madh ku të përfshirë janë së paku 1,000 kosovarë.
Përmes një komunikate për media, kjo ministri ka thënë se këta kosovarë janë regjistruar në Austri vetëm për të marrë ndihma sociale nga vendi, shumica nga të cilët as që ishin duke jetuar në shtetin austriak.

Kjo skemë e mashtrimit është realizuar gjatë viteve 2014-2015, kur janë realizuar gjithsej 1,737 udhëtime me autobusë mes Kosovës dhe Austrisë.
“Kontrollet e policive të jashtme u kanë mundësuar zyrtarëve policorë të Drejtorisë Policore të Shtetit Steiermark (Styria) të qartësojnë një abuzim masiv të përfitimeve sociale nga qytetarët kosovarë. Dy autobusë kanë realizuar udhëtime të rregullta mes viteve 2014 dhe 2015 mes Austrisë dhe Kosovës. Së paku 1,000 persona, që përfituan beneficione sociale në Austri, u transportuan në këto udhëtime. Gjatë intervistave dhe hulumtimeve tjera nga agjencinë e sigurimeve sociale, u zbulua se këta persona regjistroheshin ose si të papunë, duke marrë benefite minimale apo duke marrë benefite familjare, ndërsa shumica nga ta jetonin jashtë dhe ishin të regjistruar në Austri vetëm për shkak të ndihmave sociale”, thuhet në komunikatën e MPB-së së Austrisë.
“Po ashtu, u bë e mundur që të qartësohet mënyra se si janë marrë këto përfitime për një periudhë të gjatë pa u zbuluar nga autoritetet. Për këtë qëllim, disa persona regjistroheshin në një adresë të vetme rezidenciale dhe posa merreshin informatat se do të ketë kontrolle nga zyra e punësimit, për shembull, ata që ishin jashtë vendit njoftoheshin dhe udhëtonin me autobus për në Austri për t’u inspektuar. Veç kësaj, personat e regjistruar rrejshëm kishin edhe sigurim shëndetësor në Austri dhe mund të bënin termine mjekësore nëse kishin nevojë, dhe shpenzimet për trajtim paguheshin nga taksapaguesit austriakë”, potencohet në këtë komunikatë.
MPB-ja austriake ka dhënë edhe detaje tjera për këtë rast mashtrimi të madh.
Aty thuhet se janë realizuar 1,737 udhëtimet me autobusë, ndërsa edhe vetë shoferët e autobusëve, që u kontrolluan më vonë, rezultuan si të papunë në Austri, rrjedhimisht duke marrë përfitime si të papunë, e njëkohësisht duke u paguar edhe si shoferë autobusësh.
Veç shoferëve të autobusëve, u hetuan edhe anëtarët e familjeve të tyre pasi që edhe ata keqpërdorën ndihmat sociale. Rasti u dërgua në Prokurorinë Publike të Styrias.
Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, tha se ky hetim u desh të bëhej për të garantuar se sistemi social është i paprekur.
“Ia vlen të shikohet. Nëse duam që sistemi ynë social të jetë i paprekur në afatgjatë, i njëjti duhet të mbrohet më mirë kundër mashtrimit”, ka thënë ai me rastin e zbulimit të këtij rasti mashtrimi nga qytetarët kosovarë.
“Kjo goditje, jo vetëm që ua ka kthyer paratë taksapaguesve, por ka parandaluar edhe pagesa tjera. I falënderoj të gjithë të përfshirët në këto krime”.
“Përfitimet sociale janë për t’i kompensuar qytetarët tanë që kanë nevojë për mbështetjen e shtetit”, tha ministri i Brendshëm. “Por, ka njerëz që dëshirojnë të përfitojnë pa të drejtë dhe ta dobësojnë sistemin tonë social dhe ekonominë tonë – duhet të veprojmë sipas ligjeve dhe të zbatojmë sanksione”, potencoi ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer.