Bota

Austria dhe Gjermania vendosin t’i lehtësojnë masat antiCovid

Austria dhe Gjermania kanë bërë të ditura planet për relaksimin e masave anti-COVID, disa javë pas shtytjes për vaksinim të obligueshëm, për të parandaluar rritjen e infeksioneve.

Ndonëse të pavaksinuarit do të përballen edhe më tutje me masa, gjermanëve u është premtuar “ditë e lirë” nga 20 marsi, derisa shumica e masave do të bien poshtë edhe në Austri, që nga 5 marsi.

Pavarësisht kësaj, kancelari gjerman ende synon që ta bëjë të obligueshëm vaksinimin

Pandemia s’ka mbaruar”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas një samiti me 16 shtetet e Gjermanisë. Ndonëse legjislacioni për bërjen të obligueshëm vaksinimin i është lënë në dorë Parlamentit, kancelari Scholz ka thënë se kjo mbetet e rëndësishme sidomos për vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm.

Austria e ka kaluar në fillim të këtij muaji ligjin i cili e bënte të obligueshëm vaksinimin kundër COVID-19, duke u bërë shteti i parë në Evropë që merr vendim të tillë. Pavarësisht kësaj, askush nuk do të ndëshkohet nëse e thyen ligjin deri më 16 mars, ndërkohë që qeveria ka kohë deri atëherë që të vendosë për suspendimin e tij.

Pjesa më e madhe e Evropës ka njoftuar tashmë planet për të liruar kufizimet për COVID-19, derisa infeksionet po bien. Zvicra ka njoftuar se nga 17 shkurti nuk nevojiten certifikata COVID për të hyrë në bare, restorante apo ambiente të tjera të brendshme.