Magazina

Artisti Taulant Qerkini me mural në Lushnjë me rastin e 100-vjetorit të Kongresit

Dizajneri kosovar Taulant Qerkini e ka dhënë zgjidhjen për logon/dizajnin për shënimin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës.

Qerkini ka krijuar një mural në Lushnje dhe e ka shpërndarë këtë me publikun përmes faqes së tij në Facebook, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta.

Ky Kongres e zgjodhi për kryeministër Sulejman Delvinën, me kabinetin e tij qeveritar që përbëhej nga Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafëve.

Më 31 janar të vitit 1920-të, Kongresi u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.

Më poshtë gjeni disa foto nga murali i realizuar nga Qerkini. /ministrialajmeve.com