Lajme

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka njoftuar të mërkurën për arrestimin e një shtetasi serb D.M., i cili dyshohet për krime lufte në Kosovë.

D.M. dyshohet se ka kryer krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në cilësinë e gardianit të burgut.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës e arrestoi të dyshuarin në zonën e Graçanicës.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, i është konfiskuar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishekë të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiwan” dhe dokumente, vendime, notes dhe telefon personal, etj.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.