Lajme

Arrestohet Ikballe Huduti që kërkoi hakmarrje ndaj Amerikës për shkak të vrasjes së Kasëm Sylejmanit

Policia e Kosovës e ka arrestuar sot Ikballe Berisha – Hudutin që ditëve të fundit u bë temë në media pasi që doli kundër vrasjes së gjeneralit Iranian Qasem Soleimanit, derisa, e njejta kritikoi edhe liderët e shtetit që përkrahën sulmin e SHBA-së, merr vesh Televizioni T7.

Rastin për televizionin T7 e ka konfirmuar policia e Kosovës.

“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës. E dyshuara është sjell për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, kanë deklaruar për T7 nga policia e Kosovës.

Themeluesja e një fondacioni fetar islamik ishte deklaruar kundër Amerikës dhe Izraelit duke thënë se gjenerali i vrarë Iranian nuk do të vdesë kurrë.

“Njerezit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajne gjak kriminile ata jane te vdekur por vetem frymojne per tu turperuar vet dhe kombin e vet kriminel”, kishte shkruar Huduti-Berisha.

Ajo ka thënë se hakmarrja ndaj kësaj vrasjeje është obligim.

“Zoti i dhasht durimin ngase te mbysesh zotin e shtepise i ke mbyt tere antaret e shtepise, e pastaj hakmarrja eshte obligim por nuk ka kufi”, kishte deklaruar ajo.