Lajme

Arrestohen dy shtetas të Serbisë për kontrabandim të mallrave në Kosovë 

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy shtetas të Serbisë, me dyshimin se kanë kontrabanduar mallra nëpërmjet rrugëve ilegale.

Policia njoftoi të martën, se të dyshuarit po i ngisnin veturat në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, kur u ndaluan.

Në njërën veturë kishte produkte të qumështit dhe të miellit, ndërsa në tjetrin pantallona, kërpudha dhe gazeta të mediave serbe.

“Lidhur me këtë është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij janë iniciuar dy raste ‘kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare’ dhe ‘kontrabandim me mall’”, thuhet në njoftimin policor.

Malli dhe automjetet janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit u dërguan në mbajtje.