Të fundit

APN me një këmb jasht koalicionit në Bujanoc

Kryetari i Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arbër Pajaziti, ka akuzuar partnerët e koalicionit se nuk po e rrespektojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Përmes një postimi në Facebook, Pajaziti ka publikuar një fotografi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në korrik të vitit të kaluar duke shkruar: “Kolegët nga ana ime e majtë, janë nëshkruesit e marrëveshjes historike gjithëshqiptare në Bujanoc.

Njëkohësisht ata janë edhe shkelësit e sajë në vazhdimësi!”.

FOLonline merr vesh se sot është zhvilluar një takim rreth ecurisë së (mos)marrëveshjes së koalicionit midis Nagip Arifit(PD), Enver Ramadanit(PVD),Shqiprim Musliut(LPD) dhe Arbër Pajazitit(APN).

Edhe pas tre orë bisedash, bëhet e ditur se palët nuk kanë shprehur gatishmërinë të rrespektojnë pikën e marrëveshjes që ka të bëjë me APN-në.

Këtij takimi i kishte paraprirë një letër e përbashkët e kreut të APN-së, Arbër Pajaziti, dërguar të hënën në adresë të partnerëve të koalicionit.

Përmes kësaj letre, kuptohet se Pajaziti në emër të APN-së kishte shprehur pakënaqësitë lidhur me moszbatimin e pikës së marrëveshjes lidhur me punësimet e kuadrove të subjektit të tij në kohë të caktuar.

Nga ana tjetër, në APN thonë se nga krijimi i pushtetit të ri lokal në Bujanoc ky subjekt është dëmtuar për 14 vende pune.

Duke marrë parasysh marrëveshjen për koalicionin, e ku në njërën nga pikat e saj figuron se APN-së i takojnë 30 përqind të të punësuarve me kohë të caktuar, i bie se partnerët tjerë deri më tash kanë punësuar rreth 30 militantë të tyre partiak në institucionet ku për themelues është komuna e Bujanocit.

Në APN thonë se përveç militantëve të PD-së, PVD-së dhe LPD-së, kontratat i’u janë vazhduar ose janë punësuar militantë edhe nga SPS-i dhe SNS-i.

Lidhur me hapat e reja pas takimit të sotëm të pasuksesshëm, FOLonline merr vesh se APN do t’i tuboj strukturat partiake për të vendosur për fatin e saj në koalicion.