Ani pse mbajtën vetëm 2 seanca, deputetët kosovarë gjatë pandemisë morën gati 800 mijë euro paga
Plot 775 mijë e 864 euro kanë marrë paga dhe kompensime deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajt mars dhe prill të këtij viti, ka konfirmuar Kuvendi i Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Këto paga, deputetët i kanë marrë në kohën sa Kosova ka qenë duke u përballur me pandeminë e koronavirusit të ri.
Pavarësisht se institucionet u sfiduan nga kriza e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit dhe vendosja e kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve, të cilat patën efekt negativ në ekonomi, të gjithë deputetët i morën të plota pagat për muajt mars dhe prill.
Asnjë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ka hequr dorë nga paga shkaku i pandemisë, konfirmon Kuvendi i Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Paga bazë e një deputeti të Kuvendit të Kosovës është 1,547 euro, duke përjashtuar kompensimet që ata marrin për pjesëmarrje në seanca, si dhe komisione parlamentare.
Por, që nga 13 marsi kur në Kosovë u shfaq rasti i parë me koronavirus, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën dy herë për buxhetin, një herë për të rrëzuar qeverinë dhe herën e fundit me propozim të Partisë Demokratike të Kosovës, për propozimin dhe miratimin e masave ekonomike e financiare për rimëkëmbjen ekonomike.
Kjo seancë përfundoi pak minuta pasi që nisi, për shkak se vetë PDK-ja u tërhoq nga propozimi për diskutimin e rezolutës që vetë e propozoi.
Gjatë muajve mars dhe prill, deputetët kanë qenë shumë pak aktivë edhe në komisione parlamentare.
Shoqëria civile: Deputetët përçuan mesazh të keq gjatë pandemisë
Organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës thonë se deputetët është dashur që të solidarizohen me krizën ekonomike, duke bërë kërkesë në nivel institucioni, që një pjesë e pagës së tyre të ndahet për të ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe spitalet në nevojë.