Angli: Kriza e karburantit, ambasadori: 150 mijë shqiptarë gati të punojnë falas
Në kohën kur Britania e Madhe po kalon një krizë të furnizimit me karburant, ambasadori shqiptar, Qirjako Qirko në një intervistë për median prestigjioze “The Guardian”, ka deklaruar se emigrantët shqiptarë atje janë të gatshëm të ndihmojnë vendin në trajtimin e krizës.
Qirko tha se 150 mijë shqiptarë që jetojnë atje do të ishin të gatshëm të punonin thuajse falas si shoferë kamionësh.
“Nëse qeveria juaj do të donte, ne mund të ofrojmë shoferë të mirë të besueshëm, ndoshta 5,000 menjëherë”, tha ai.
Më tej, ai tha se shqiptarët do të punonin falas në shenjë mirënjohje për mikëpritësit e tyre britanikë.
Kjo deklaratë e Qirkos erdhi pasi ky i fundit sapo kishte kaluar një orë në radhë t’u furnizuar me benzinë dhe pa sukses.
“Shqiptarët janë gati të punojnë që qeveria britanike të kapërcejë këtë problem pa pagesë. Unë nuk e di nëse ata kanë licencat e duhura, por nëse do të kishin, jam i sigurt që të gjithë këtu do të thoshin ‘unë mund të ndihmoj’”, tha ai.
“Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar do të punonin falas për këtë vend për shkak të asaj që ky vend ka bërë për ta… Ne i jemi mirënjohës përgjithmonë qeverisë dhe ushtrisë së këtij vendi, për atë që bënë për vëllezërit tanë në Kosovë. ”
Më tej Qirko vijoi deklaratën duke thënë: “Unë jam këtu për folur për njerëzit e mi. Ata nuk janë kriminelë, ata janë punëtorë dhe të ndershëm. ”