Lajme

Andi Pajaziti dyshohet se tentoi ta sulmojë Berat Buzhalën, s’është pjesë e Vetëvendosjes

Andi Pajaziti dyshohet se ka tentuar ta sulmojë gazetarin dhe drejtorin e Gazetës Express, Berat Buzhala. KALLXO.com merr vesh se Andi Pajaziti tashmë është ftuar nga organet e rendit për intervistim. Këtë e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Asdren Hoxha.

“Po, mundem me konfirmu që Policia e Kosovës ia ka dërguar një ftesë për intervistim dhe që ai i përgjigjet organeve dhe gjatë ditës së sotme besoj do të sqarohen rrethanat. Sot do t’i përgjigjemi policisë”, ka thënë Hoxha. Të shtunën mbrëma, drejtori i medias Gazeta Express dhe televizionit T7, Berat Buzhala, denoncoi publikisht një tentim sulm ndaj tij në Prishtinë. Për këtë, Buzhala fajësoi dy persona, të cilët ai i quajti “vagabondë të Vetëvendosjes”. Por, pretendimet se peronat që tentuan ta sulmonin Buzhalën janë të partisë Lëvizja Vetëvendosje, i ka mohuar avokati i Andi Pajazitit.