Maqedoni

Ali Ahmeti i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Speciale në Hagë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit. Lajmin e ka konfirmuar vet kreu i integristëve nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtarë në Facebook, ku ka shkruar se ka pranuar ftesën. Ahmeti mes tjerash ka nënvizuar se sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive janë synim dhe detyrimi i tij i përhershëm.

Postimi i plotë i Ahmetit në Facebook

Të nderuar qytetarë,

Sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.

Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit.