Albin Kurti: 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se prej pasluftës Kosovën po e udhëheqin një dyzinë mujsharësh e tejkunësh.
Mujsharët, sipas fjalorit, janë njerëz që përdorin forcë për t’i shtrënguar të tjerët, që shpërdorin fuqinë e pushtetin për të sunduar me dhunë mbi të tjerët. Pra janë dhunues. Edhe tajkun ka kuptimin e njëjtë për një tufë njerëzish që udhëheqin me dhunë.
“Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, ka thënë Kurti, kur ka kujtuar 20 vjetorin e çlirimit.
“Kur Serbia i ka okupuar trojet shqiptare para më shumë se një shekulli në Luftën e Parë Ballkanike, festën e ka rezervuar atëherë kur e ka pushtuar Kumanovën. Sot janë mbushur 20 vjet nga Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Federatës Jugosllave dhe Serbisë e nënshkruar në Kumanovë. Me atë marrëveshje përfunduan bombardimet e NATO-s, sepse, në njërën anë, u vendos që të gjitha forcat serbo-jugosllave (ushtarake, policore e të tjera) do të tërhiqen nga Kosova deri më 20 qershor 1999, ndërkaq, nga ana tjetër, u vendos Zona e Sigurisë Ajrore prej 25 km dhe Zona e Sigurisë Tokësore prej 5 km rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndalohet hyrja e forcave të kësaj të fundit”, ka shkruar Kurti.
“Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale”, ka shtuar ai.