Lajme

Alban Imeri, për herë të dytë deputet në Parlamentin e Kantonit Thurgau

Alban Imeri ia doli që për të dytën herë të zgjidhet deputet në Parlamentin e Kantonit Thurgau. Inxhinieri 29 vjeçar i makinerisë me prejardhje nga Kumanova, në mandatin e parë përfaqësonte partinë BDP, nga e cila, nga mesi i mandatit pati kaluar në Partinë Socialdemokrate (SP). Po për këtë parti ai ka kandiduar në zgjehdjet që u mbajtën dje (15 mars) dhe ka rifituar vendin e deputetit.

Ai ka fituar 2574 vota, të mjaftueshme për vendin e deputetit në këtë parlament. Krahas tij nga rrethi i tij zgjedhor kanë fituar edhe tre kandidatë tjerë të SP, që të gjithë, të rizgjedhur.

Ndërsa në nivel kantoni, partia ku bën pjesë Alban Imeri, ka pësuar një rënie, duke rënë në 14 vende nga 16 sa kishte në legjislaturën e kaluar.

Ndërkaq, rritje në këtë parlament ka shënuar Partia e Gjelbër (GPS). Ajo, duke ndjekur trendin në nivel nacional dhe të kantoneve, është rritur për 5 vende, nga 10 sa kishte në zgjedhjet e kaluara, tani ka 15 vende dhe ia kalon kështu edhe SP-së. Partia më e madhe në kanton vazhdon të mbetet SSVP me 44 vende, e ndjekur nga FDP dhe CVP që kanë nga 19 deputetë në këtë parlament.

Alban Imeri ka lindur më 7 janar të vitit 1991 në Münsterlingen TG dhe prej vitit 1999 jeton me prindër në Egnach.

Siç u tha tashmë, ai karrierën politike e ka filluar në partinë BDP (Partia e Djathtë Demokratike). Në këtë parti, e cila ndërkohë ka mbetur pa përfaqësues në Parlamentin e Kantonit, Imeri ka pasur funksione të ndryshme në nivel lokal dhe kantonal.

Albinfo.ch ka përcjellë ngritjen politike të Alban Imerit, i cili ka shkruar shpeshherë edhe editoriale për platformën tonë

Sa i përket vendit të Imerit në Parlamentin Kantonal, duhet thënë se në këtë nivel edhe më tutje vazhdon të ketë fare pak shqiptarë, shkruan albinfo.ch. Deri tash, vetëm këta shqiptarë janë ose kanë qenë deputetë të parlamenteve kantonale: Qëndresa Sadriu (SP) si e para deputete me rrënjë shqiptare në Kantonin e Cyrihut, Osman Osmani (Schaffhausen SP, dy mandate), Ylfete Fanaj (Lucern SP, tre mandate dhe nënkryetare e Parlamentuit në legjislaturën e fundit), Zari Xhaferi (Zug, SP, dy mandate ) dhe Etrit Hasler (St. Gallen, dy mandate). Një mandat në parlamentin kantonal të Glarusit ka qenë deputet edhe Osman Sadiku, po ashtu i Partisë Socialdemokrate.