Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit, reagon Albin Kurti: Besoj në pafajësinë e UÇK-së
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit, Hahsim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
I pyetur se a beson në pafajësinë e tyre, ai është përgjigjur se beson në pafajësinë e UÇK-së.
“UÇK-ja është luftë kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UÇK-së edhe politikisht e historikisht janë në të drejtën e tyre”.
“S’do mend që ngritja e aktakuzës e dëmton reputacionin e Kosovës. Besoj në pafajësinë e UÇK-së dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur e të paanshme që të hetoj e dënoj krimet e luftës e mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë. VV ka kontribuar në dy momente të rëndësishme, i pari është ai i ndryshimit të kodit të procedurës penale dhe i dyti, grupi i ekspertëve për procesin e vetingut. Shteti i të drejtës së Kosovës nuk ka zëvendësim. Kam thënë se nuk mund të mendoj që drejtësinë mund ta bëjë dikush nga jashtë, nga anash apo lartë, por ne duhet ta ndërtojmë shtetin tonë të pavarur me institucione të pavarura”, tha ai për mediat.