Abazoviq i premton Escobarit: Qeveria e re e Malit të Zi, do të punojë edhe më shumë për të shtypur agresionin rus
Mandatari për formimin e Qeverisë së re të 43-të të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se nëse formohet pushteti i ri ekzekutiv, ajo do të marrë disa vendime të cilat do t’u ofrojnë mbështetje edhe më të fortë aleatëve për të shtypur agresionin rus.
Këtë e ka bërë të ditur Qeveria pas bisedimeve të Abazoviqit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ky i fundit tha se Mali i Zi mund të llogarisë në ndihmën e Shteteve të Bashkuara, raporton rtcg.
Abazoviq dhe Escobar shkëmbyen mendime mbi ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe aktivitetet e mundshme të ardhshme që synojnë sanksionimin e agresionit të Federatës Ruse në Evropën Lindore.
Ata ranë dakord se aktualisht është thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë vendosmëri të madhe në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe të qëndrojnë deri në fund së bashku me aleatët e tyre në BE dhe NATO.
“Mali i Zi është gati të zgjerojë gamën e sanksioneve në mënyrë që të ndjekë deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve malinje në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Punëve të Jashtme. Përveç ndihmës humanitare dhe financiare, nuk do të mungojë as ndihma në pajisje ushtarake, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në Mal të Zi”, theksoi Abazoviq.