Lajme

AAK-ja nuk e përjashton mundësinë e protestave për ta kundërshtuar heqjen e taksës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po paralajmëron protesta në mënyrë që të kundërshtojë qeverinë për heqjen e taksës.

Kjo parti madje kritikon dy partitë që janë në koalicion qeverisës, se nuk kanë pasur një dakordancë për qëndrimet në lidhje me tarifën.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka njoftuar se të hënën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme nga ora 11:00.

“Sapo u dakorduam që seanca e jashtëzakonshme do të mbahet të hënën në orën 11:00. Sipas praktikës dhe ashtu u dakorduam që ajo është më shumë se 48 orë, për shkak të mungesës së deputetëve, jemi dakorduar që të hënën ta kemi seancën. Pra kemi 41 nënshkrime. Dëshiroj që të falënderoj deputetët që kanë dashur të jenë pjesë e këtij mocioni në seancë do të themi fjalën e fundit rreth tendencës për hapjen e tregut për Serbinë”, tha ai.

Ai nuk ka përjashtuar edhe protestat për t’i kundërshtuar veprimet e Albin Kurtit në lidhje me heqjen e taksës.

“Jemi kundër heqjes së taksës, derisa Serbia vazhdon avazin e vjetër. Jemi të qartë që Serbia nuk ka ndryshuar pozicion ndaj Kosovës. Mendojmë që ka gabuar shumë. Ashtu e kemi cilësuar edhe dje si nënshtrim ndaj Serbisë. Aq më shumë kur nuk kemi pasur edhe një dakordancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra siç duket nuk ka pasur as një dakordim me partnerët e koalicionit. Nuk e dimë arsyen se pse e nxiti mbrëmë të bëjë atë veprim. Do ta kundërshtojmë në të gjitha mjetet që na i lejon kushtetuta, pse jo edhe protestimi është formë demokratike” , tha ai.

Haradinaj ka njoftuar se sot në orën 16:00 është thirrur një mbledhje e AAK-së, ku do të mbahet edhe një konferencë e jashtëzakonshme e kreut të saj, Ramush Haradinaj./ksp/