Lajme

AAK-ja akuzon PDK-në se ia kopjoi programin: Presim të kopjohet edhe nga të tjerët

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës, që u shpreh se është e vetmja që ka program për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar PDK-në se ia ka kopjuar idenë për fondin një miliardë eurosh për ekonominë. Sipas tij, kjo parti pret që programi të kopjohet edhe nga të tjerët.

Në përgjigjen për postimin e mëhershëm të Avni Bytyçit, zëdhënësit të PDK-së, Blaka ka publikuar detaje nga katër shtyllat e programit të AAK-së.

Sipas Blakës, programi i AAK-së përbëhet nga ekonomia, siguria dhe shteti i së drejtës, mirëqenia dhe politika e jashtme si shtylla kryesore:

1. EKONOMIA – Shtylla e parë garanton rimëkëmbje dhe zhvillim të përshpejtuar ekonomik. E konceptuar në dy nënshtylla: “Pakoja e Rindërtimit” dhe “Aleanca për Zhvillim” kjo ofertë programore paraqet përmbledhje të masave dhe politikave ndërhyrëse të cilat në njërën anë i përgjigjen çështjeve urgjente e akute me të cilat ballafaqohemi aktualisht si ekonomi, si pasojë e pandemisë, ndërsa në anën tjetër shtrojnë rrugën që të kalojmë nga rimëkëmbja e ekonomisë së dërmuar në zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik.

2. SIGURIA DHE SHTETI I SË DREJTËS – shtylla e dytë, ofron garancë për funksionimin e shtetit të sigurt e të mbrojtur në përputhje me ligjet si dhe siguron Sundim të fortë të Ligjit që është prioritet kryesor i qeverisjes nga Aleanca.

3. MIRËQENIA – si shtyllë e tretë, ngërthen në vete politikat e veprimet që synojnë përparimin, përmes zhvillimit të shëndetësisë e arsimit, mbrojtjes së mjedisit, përkrahjes së qytetarëve dhe krijimin e harmonisë për një jetë të dinjitetshme dhe prosperuese.

4. POLITIKA E JASHTME – shtylla e katërt është e kornizuar si reflektim i nevojave të vendit, në funksion të fuqizimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, njohjeve të reja, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe forcimit dhe thellimit të marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë: ShBA si dhe vendet e tjera aleate. Në kuadër të kësaj shtyllë theks të veçantë i kemi dhënë anëtarësimit të Kosovës në NATO me përshkrim të saktë të politikave dhe veprimeve që do të ndjekim për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në fund, Blaka ka ftuar Bytyçin ta vizitojë AAK-në “dhe me respektin më të madh do t’ia dhuroj Programin Zgjedhor 2021-2025, sepse iu hyn në punë edhe për tema të tjera, të cilat në mënyrë të detajuar specifikojnë politikat dhe veprimet që sigurojnë zhvillim dhe avancimin e shtetit tonë të përbashkët”.

Për referendumin e paralajmëruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për bashkim kombëtar, Blaka ka thënë se “flasim më 2025”.