Kryesore

Berisha: Në tetor zgjedhjet e rregullta për shumicën e Këshillave kombëtarë të pakicave në Serbi

Ministri për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe Dialogun Shoqëror në Serbi, Demo Berisha, ka deklaruar se zgjedhjet e rregullta për Këshillat Kombëtarë të Pakicave Kombëtare pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti.


Duke folur për agjencinë Tanjug, Berisha theksoi se zgjedhjet ende nuk janë shpallur zyrtarisht, por se procesi i përgatitjeve tashmë ka filluar.

Ai u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të pakicave kombëtare në Serbi që të marrin pjesë në këto zgjedhje, duke nënvizuar rëndësinë e tyre për përfaqësimin dhe funksionimin e këshillave kombëtare.

Sipas ministrit, këtë vit pritet që në procesin zgjedhor të marrin pjesë pothuajse të gjitha 24 këshillat kombëtare të pakicave, gjë që, sipas tij, tregon interesim dhe përfshirje të gjerë të komuniteteve pakicë në Serbi.

Zgjedhjet për këshillat kombëtarë konsiderohen një mekanizëm kyç për ushtrimin e të drejtave kolektive të pakicave kombëtare, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.