Zgjedhjet në Mal të Zi, katër deputetë shqiptarë
Nga zgjedhjet parlamentare të së dielës, forca e re politike “Europa tani” kryeson në rezultatet e votimeve. Partia e ish-presidentit Milo Gjukanoviq renditet e dyta.
Partia e re e reformave, “Europa tani” ka marrë sipas llogaritjeve të fundit 26% të votave. Kjo parti merr kështu 24 nga 81 mandate në Parlament, sipas Insitutit të Studimeve Zgjedhore, CDT në Podogoricë. Forca e dytë zgjedhore u rendit partia e Demokratëve Socialistë e ish-presidentit Gjukanoviq, me 23% të votave dhe 21 mandate, shkruan DW.
Pjesëmarrja zgjedhore kapi shifrën e 56%, dukshëm nën pritshmëritë e vëzhguesve.
Sipas të dhënave, Komisioni Qendror do të japë rezultatin përfundimtar në ditët e ardhshme.
“Europa tani” e krijuar në prill hyri në zgjedhje si partia më e preferuar nga zgjedhësit. Në të njëjtën kohë ajo mbështet afrimin me Serbinë. Edhe presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatovic, vjen nga kjo parti.
Kandidati kryesor i kësaj partie, Milojko Spajic, që të dielën në mbrëmje ngriti pretendimin për postin e kryeministrit. “Është e qartë që ne do të krijojmë qeverinë e re proeuropiane”, tha ai në një konferencë për shtyp në Podogoricë, përcjell albinfo.ch.
Edhe kjo parti ka nevojë për partnerë që të qeverisë në të ardhmen.
E në anën tjetër, Nikë Gjeljoshaj, nga Forumi Shqiptar, ka thënë se partia që drejton ka fituar dy mandate, duke theksuar se ky është një rezultat i madh për këtë subjekt politik, ndërkohë që gjithsej do të jenë 4 parlamentarët shqiptarë në Malin e Zi.
“Mendoj se me katër deputetë në Parlament nga partitë shqiptare iu dërgua një mesazh i mirë popullit shqiptar”, tha Gjeloshaj.
Koalicioni proserb dhe prorus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish-Fronti Demokratik) ka fituar 15 për qind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviqit me Demokratët të Aleksa Beçiqit 12.3% ose 11 mandate, shkruan Zëri i Amerikës.
Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8% të votave, ose 6 mandate, kurse në Parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.
Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 56.4 për qind ose 305.760 qytetarë. Kjo është dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur votuan 76.6 për qind, si dhe në vitin 2016, kur pjesëmarrja ishte 73.3%, përcjell albinfo.ch.