Të fundit

Arifi: Strukturat që po organizojnë trazira në veri të Kosovës, po mundohen që të shtrijnë fushëveprimin e tyre edhe në Luginë

Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka dënuar rastin e fundit ku u morën në bisedë informative drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc Jetmir Ismaili dhe regjisori Gani Veseli. Sipas Arifit, strukturat që po organizojnë trazira në veri të Kosovës, po mundohen që të shtrijnë fushëveprimin e tyre edhe në Luginë, konkretisht në Bujanoc.

Të nderuar qytetarë të komunës së Bujanocit,

Duke qenë bartës i pushtetit lokal në Bujanoc dhe në cilësinë e kryetarit të komunës, ndjej obligim që të shpreh qëndrimin tim për ngjarjet e fundit në Bujanoc.

E para, thirrja në biseda informative e drejtuesve institucional, në këtë rast të drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc dhe regjisorit të dy filmave artistik që ishin të paraparë të shfaqeshin të premten, është vetëm vazhdim i presionit dhe dhunës psikike ndaj institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë të komunës sonë. Është e njejta metodë e frikësimit të drejtuesve institucional sikurse ajo e mbajtjes në arrest 24 orësh të ish kryeshefit të urbanizmit, avokatit të komunës, drejtorit të NP “Komunalia”, si dhe ish drejtorit të kësaj ndërmarrje.

Strukturat që po organizojnë trazira në veri të Kosovës, po mundohen që të shtrijnë fushëveprimin e tyre edhe në Luginë, konkretisht në Bujanoc. Duke pasur parasysh se konflikti është më pak i mundshëm në Kosovë, ngaqë aty janë të vendosura forcat e NATO-s, një vatër tjetër e krizave mund të shpërthejë në Luginë. Takimet e vazhdueshme që kam me miq kombëtar e ndërkombëtarë më sugjerojnë për ruajtjen e gjakftohësisë. Andaj, kërkoj nga të gjithë qytetarët, por edhe faktorin politik që të gjejnë kurajo që mos të bien pre e provokimeve të këtilla, dhe të ruajmë stabilitetin dhe paqen.

E dyta, të premten e kaluar Kuvendi Komunal u përballë me një situatë të pazakontë, kur njëri prej partnerëve të koalicionit qeverisës, rrezikoi funksionimin e pushtetit lokal, koalicion ky i ndërtuar sipas marrëveshjes së Tiranës, dhe ishte në prag të sjelljes së masave të dhunshme në komunën e Bujanocit.
Ky veprim i pamenduar mirë po ndodh në kohën kur politika shqiptare ka marrë vëmendjen e qendrave kryesore botërore të politikëbërjes. Pas vizitave në Washington DC dhe New York, nesër një delagacion prej politikanëve shqiptarë, do të udhëtojmë në Strazbourg, për të takuar eurodeputetët dhe për të vazhduar senzibilizimin e çështjes shqiptare në Luginë.

Uniteti që kemi ndërtuar këto vite, ka arritur që të adresojë shumë probleme të shqiptarëve në Senatin dhe Kongresin Amerikan, nesër do të do ndodh edhe në Parlamentin Evropian. Këtë unitet do të donte ta pengonte vetëm Beogradi zyrtar. Veprimi i disa këshilltarëve komunal për pak sa nuk e realizoi dëshirën e tyre për ta destabilizuar Bujanocin, e si rezultat do të sjellte masat e dhunshme në komunë.

Duke qenë i bindur se këto veprime kanë qenë nga pakujdesia dhe jo me vetëdije, kërkoj nga të gjithë partnerët e koalicionit që të jenë më të përgjegjshëm me veprimet e tyre, dhe mos të lejojnë “që dega të na pengojë ta shohim malin”.

Kemi shumë punë për të bërë. Do të ecim përpara bashkarisht, pa marrë parasysh pengesave që do të shfaqen rrugës, ka shkruar në rrjetin social kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi.