Vera Shkurti, mësuesja nga Vranishti që mban gjallë gjuhën shqipe në Greqi
Peripecitë e mësueses shqiptare për të hapur shkollën për fëmijët shqiptarë të ishullit Tinos
Timos më 1. 04. 2012. Është dita kur fëmijët shqiptarë të ishullit grek shkuan për herë të parë në shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Në tabelë shkruhet :”Ti Shqipëri më jep nder më jep emrin shqipëtar” dhe më pas vjersha e Naim Frashërit:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!
Atje është edhe mësuese Vera, ajo që mundësoi këtë ditë për fëmijët shqiptarë të ishullit të Timos.
“Tërë jetën nuk kam për t’i harruar ato çaste gëzimi kur drejtori i shkollës numër 2 z. Valakas më mori në telefon dhe më tha të vini në shkollë dhe të firmosni dorëzimin e klasës për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe”, kështu rrëfen mësuesja e gjuhës shqipe në ishullin, Tinos. Është Vera Shkurti, mësuesja që po mban gjallë gjuhën shqipe mes fëmijësh shqiptarë në këtë ishull të Greqisë. Ajo flet për peripecitë e jetës së saj në emigracion dhe ëndrrën e saj për të mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi. Pas shumë dilemash ajo vendosi një ditë të niset drejt zyrave të bashkisë së qytetit për të bërë kërkesën që për zyrtarët grekë nuk kishte qënë kaq e papritur.
“Para se t’i jepja dorën zëvendëskryetarit të Bashkisë dhe Presidentit të Këshillit të emigrantëve të ishullit të Sirosit, z. Nikos Albanopulos, e pyeta: “Kur shkollat greke, do të hapin dyert për mësimin e gjuhës shqipe ashtu siç janë hapur dyert për mësimin e gjuhës greke në Evropë, Amerikë e deri në Australi? Kishte ardhur momenti kur durimi sa vinte dhe pakësohej dhe unë doja vërtet që ta realizoja sa më shpejt. Qëllimi im ishte që ta filloja më 7 Mars. Shkolla u hap më 1 prill 2012…” thotë mësuesja e fëmijëve shqiptarë të Timosit.