Lajme

Engel: SHBA ta ndërpresë bashkëpunimin me Gjykatën Speciale nëse ajo shënjestëron vetëm shqiptarët

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë – dorëheqjen e Hashim Thaçit nga pozita e Presidentit dhe aktakuzat ndaj tij, Kadri Veselit dhe të tjerëve.

Ai në një qëndrim të tij ka theksuar se Kongresi Amerikan do ta monitorojë punën e Gjykatës Speciale.

“Më duhet t’i shpreh shqetësimet e mia serioze për mënyrën se si e ka ushtruar mandatin kjo gjykatë. Statuti që ka krijuar Gjykatën Speciale nuk e ka kufizuar mbulueshmërinë e saj vetëm tek shqiptarët. Ligji që nuk njeh kombësi që e ka krijuar gjykatën thotë se juridiksioni i saj shtrihet në krime serioze të lidhura me luftën që u zhvillua në Kosovë gjatë një periudhe të caktuar të luftës. Mjerisht, duket që ajo po operon si gjykatë etnike – një që ndjek vetëm shqiptarët që supozohet të kenë kryer krime”, ka thënë Engel.

“E kuptoj që zyrtarët qeveritarë e ushtarakë serbë të përfshirë në gjenocid janë jashtë mandatit direkt të Gjykatës Speciale. Mirëpo, kjo nuk e liron këtë gjykatë nga detyra e saj për t’i ndjekur kriminelët sipas ligjit, madje edhe në mungesë. Unë, prandaj, i bëj thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe Departamentit të Drejtësisë ta analizojë punën e Gjykatës Speciale për t’u siguruar që nuk është duke shënjestëruar njerëz në bazë të kombësisë dhe ta ndalë mbështetjen ose bashkëpunimin e SHBA-së me gjykatën në rast se një gjë e tillë vërtetohet”.

Kjo është letra e plotë:

“Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi ka treguar respekt për sundimin e ligjit duke dhënë dorëheqje nga pozita e tij për t’u përballur me akuzat e prokurorit të Gjykatës Speciale. Nuk do t’i komentoj akuzat specifike me të cilat po përballet, por Kongresi do ta monitorojë për së afërmi punën e Gjykatës Speciale, për t’u siguruar që po respektohet sundimi i ligjit dhe të drejtat e të akuzuarve në këtë rast dhe në rastet e tjera.

Sidoqoftë̈, më duhet t’i shpreh shqetësimet e mia serioze për mënyrën se si e ka ushtruar mandatin kjo gjykatë. Statuti që ka krijuar Gjykatën Speciale nuk e ka kufizuar mbulueshmërinë e saj vetëm tek shqiptarët. Ligji që nuk njeh kombësi që e ka krijuar gjykatën thotë se juridiksioni i saj shtrihet në krime serioze të lidhura me luftën që u zhvillua në Kosovë gjatë një periudhe të caktuar të luftës. Mjerisht, duket që ajo po operon si gjykatë etnike – një që ndjek vetëm shqiptarët që supozohet të kenë kryer krime.

Dua të jem i qartë: kushdo që kryen krime serioze luftë duhet të ndiqet, pa marrë parasysh kombësinë. Mirëpo, pjesa dërrmuese e krimeve të kryera në Kosovë gjatë kësaj periudhe janë bërë nga ushtria e Millosheviqit gjatë fushatës së tij gjenocidale për spastrim etnik. Kjo ngritë pyetje serioze që edhe pse ligji që ka krijuar Gjykatën Speciale nuk njeh kombësi, gjykata ka ndjekur vetëm shqiptarët.

Mbyllja e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi vetëm ka rritur këtë anashkalim serioz sepse kriminelët serbë më nuk përballen me mekanizma të drejtësisë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, gjykatat e Serbisë, me disa përjashtime të vogla, nuk i kanë mbajtur përgjegjës fajtorët. Për më tepër, vrasësit e tre qytetarëve amerikanë, vëllezërve Bytyçi, nuk janë sjellë para drejtësisë, edhe pse kriminelët janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi.

E kuptoj që zyrtarët qeveritarë e ushtarakë serbë të përfshirë në gjenocid janë jashtë mandatit direkt të Gjykatës Speciale. Mirëpo, kjo nuk e liron këtë gjykatë nga detyra e saj për t’i ndjekur kriminelët sipas ligjit, madje edhe në mungesë. Unë, prandaj, i bëj thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe Departamentit të Drejtësisë ta analizojë punën e Gjykatës Speciale për t’u siguruar që nuk është duke targetuar njerëz në bazë të kombësisë dhe ta ndalë mbështetjen ose bashkëpunimin e SHBA-së me gjykatën në rast se një gjë e tillë vërtetohet”.