Sporti

Merr medaljen e argjendtë në Paris Distria Krasniqi mposhtet në finale

Distria Krasniqi është shpërblyer me medalje të argjendtë për paraqitjet e saj në kuadër të Grand Slamit që u mbajt sot në Paris.

Krasniqi u mposht në finale nga japonezja Ami Kondo, me ippon, por ia siguroi Kosovës medaljen e artgjendtë në kategorinë e peshave -48 kilogramëshe.

Xhudistja kosovare e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në rundin e dytë u përball me xhudisten portugeze, Joana Diogo, edhe kjo e fundit e kaloi në rundin e dytë pa luftë. Krasniqi u tregua e fortë për portugezen, duke triumfuar me Ippon.

Se Krasniqi e ka seriozisht, tregoi edhe në rrethin e tretë, duke e mposhtur gjithashtu me Ippon, xhudisten nga Brazili, Gabriela Chibana.

Kurse në çerekfinale e ka mposhtur xhudisten nga Koreja e Jugut, Yujeong Kang.

Në gjysmëfinale, Krasniqi u përball me francezen, Melanie Clement. Ishte një luftë e fortë nga të dyja xhudistet, por në fund triumfoi ajo kosovare.

Kosovarja renditet në pozitën e tetë në radhitjen botërore të xhudistëve për kategorinë -48 kilogramë, ndërsa në të dhjetën për kategorinë -52 kilogramë.

Gjatë karrierës së saj, ajo i ka fituar gjithsej 127 ndeshje nga gjithsej 173 të zhvilluara. Është shpërblyer 11 herë me medalje të artë, gjashtë herë me të argjendtë, ndërsa dhjetë herë të tjera me të bronztë.