UNESCO: Shqipëria me emigracionin më të lartë të njerëzve të arsimuar në Europë, konkurrojmë me Afrikën
Raporti i Monitorimit Global për arsimin nga UNESCO për vitin 2019 i kushtoi një vëmendje të veçante faktit se si po ndikon emigracioni në sektorin e edukimit kudo në botë.
Studimi gjeti se, shkalla e emigrimit të personave të arsimuar është mbi 20% në rreth një të tretën e 174 vendeve. Në Shqipëri deri në vitin 2010 kishin emigruar 26 për qind te personave me aftësi të zhvilluara, raporton UNESCO.
Lëvizshmëria në këto nivele do të ketë pasoja të pafavorshme për zhvillimin ekonomik.
Ndihmat në formën e bursave nga donatorët për vendet e varfra si edhe Shqipëria mund ta përkeqësojë këtë prirje, pasi studentët kanë prirje të mos kthehen. UNESCO sugjeron se ndihmat e donatorëve duhet të fokusohen në mbështetjen me logjistikë dhe me fondet universitet në vendet e varfra.
Gjithashtu vendet e varfra me emigracion të lartë personave të arsimuar vuajnë nga keqpërdorimi i fondeve publike për arsimin.
Një vlerësim i Bankës Botërore zbuloi se rreth 18% e shpenzimeve publike të arsimit universitar në Afrikën Sub-Sahariane shkuan për bursa studimi jashtë vendit gjatë periudhës 2003-2008.
Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. Kjo rritje ishte më e madhe se emigrimi për pjesë të tjera të popullatës me arsim të mesëm dhe të ulët.
Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, për llogari të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) i publikuar së fundmi, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.