Kryesore

Kurti për televizionin malazez: Njohja reciproke Kosovë-Serbi në pranverë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zgjedhur një televizion malazez, për të dhënë detaje mbi dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e fundit për targat.

Në një intervistë të publikuar sot nga Gradski TV, ai ka thënë se Kosova po mbështetet në propozimin e BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për arritjen e një marrëveshjeje.

Kurti, para gazetares Tamara Nikçeviq ka thënë se Kosova pret marrëveshja deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Që nga 9 shtatori i këtij viti kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave në të ardhmen, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Në fakt, thuhet se brenda pak ditësh, deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ndërkohë ramë dakord që Kosova të mos vazhdojë me gjobat për veturat me targat ilegale KM dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po u japim mundësinë, hapësirë ​​disamujore, si masë për besimin e ndërsjellë, për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova është vend normal, por sipas tij, Serbia është një administratë ruse.

Ai ka theksuar se pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës u bë shtet normal.

“As marrëdhëniet tona nuk janë normale, normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje ndërkombëtare që është juridikisht obliguese dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke, ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka thënë se Serbia e ka pranuar edhe hapjen e negociatave që do të bazohen në propozimin e Brukselit, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe SHBA.