Bota

35 të lënduar në festivalin me dema në Spanjë

Sot në Pamplona të Spanjës ka përfunduar festivali tradicional veror San Fermin, ku gjatë garës me dema janë lënduar 35 persona.

Shumica e plagosjeve ndodhin kur demat dhe garuesit kalojnë dhe bien në tokë, por autoritetet lokale kanë raportuar se demat kanë lënduar tetë vetë këtë vit me brirë.

Festivali, i mbajtur nga 6 deri në 14 korrik, tërheq qindra-mijëra turistë nga e gjithë bota çdo vit, transmeton KosovaPress.

Gara me dema organizohet çdo mëngjes në orën 8.00 dhe demat drejtohen nga stallat në arenën e qytetit, e gjatë rreth 825 metra. Njerëzit që marrin pjesë në këtë garë janë kryesisht meshkuj tradicionalisht të veshur në të bardha, me shalle të kuqe rreth qafës.

Ky manifestim daton nga shekulli 16, në lavdinë e shenjtorit dhe mbrojtësit të Pamplonës, San Fermin.

Festivali u përjetësua nga shkrimtari Ernest Hemingway në romanin “Dielli lind përsëri”.