Maqedoni

15-vjeçarja nga Tetova humb jetën nga Covid-19

Kjo është viktima më e re në Maqedoninë e Veriut, e cila nuk i mbijetoi virusit

Një vajzë 15-vjeçare nga Tetova ka vdekur në Klinikën Infektive në Shkup, për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, konfirmuan autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tyre, vajza u soll në gjendje shumë të rëndë nga spitali i Tetovës, ku u trajtua për dy ditë, transmeton Rel.

Sipas raportit mjekësor, pacientja nuk ishte e vaksinuar.

“Bëhet fjalë për një paciente, e cila nuk ishte vaksinuar dhe për të cilen nuk kemi detaje nga të dhënat që kemi marrë nga babai i saj, nëse ajo vuante nga sëmundje të tjera kronike. Por, është një vajzë që kishte mbipeshë, gjë që bart rrezikun e sëmundjeve të komplikuara dhe të rënda”, tha Millena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup.

Kjo është viktima më e re që ka humbur jetën nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut.

Sot, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë vend, janë regjistruar gjithsej 26 viktima dhe 905 të infektuar me koronavirus.