12 vjet nga vdekja e Faruk Begollit, do të mbahen ditët e filmit në kujtim të tij
Sot bëhen 12 vjet që kur mbylli sytë për herë të fundit një ndër figurat më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare, Faruk Begolli.
Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).
Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.
Për të kujtuar dhe nderuar veprën e aktorit në 12-vjetorin e vdekjes së tij, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Kosovafilmi në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Prishtinës organizojnë Ditët e filmit në kujtim të Faruk Begollit.
Me këtë rast, prej sot deri më 25 gusht në kinemanë “Cineplexx” do të shfaqen tre filma të përzgjedhur në të cilët luan Faruk Begolli.
Sot shfaqet filmi “Era dhe Lisi”, nesër “Kur Pranvera Vonohet”, ndërsa të dielën “Proka”.
Të gjithë filmat fillojnë në ora 20:00, ndërsa hyrja është falas.