10 vjetori i PD-së në Bujanoc, Arifi flet për themelimin e partisë dhe sfidat gjatë kësaj dekade
Data 2 korrik ndërthur në vete histori të veçanta e me plotë kuptim për shqiptarët. Pikërisht me këtë datë në vitin 1990, u nënshkrua Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë së Kosovës, që ndryshe njihet si “Deklarata e 2 Korrikut”. 21 vite më vonë, më 2 korrik 2011 u themelua edhe zyrtarisht Partia Demokratike, me seli në Bujanoc.
Sot kur festohet 10 vjetori i partisë, Indeksonline ka realizuar një intervistë me Nagip Arifin, kryetarin e PD-së, njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Bujanocit.
Arifi kujton themelimin e partisë me entuziazëm të madh, ku thotë se rajoni kishte nevojë për një organizim politik për t’i zgjidhur problemet e për t’i përballuar sfidat.
“Meqë ishte imperativ i kohës formimi i një subjekti të këtillë, natyrisht se edhe entuziazmi ishte mjaft i lartë. E them imperativ, ngase rajoni ynë kishte nevojë për një organizim politik për t’i zgjidhur problemet, por edhe për t’i bërë ballë sfidave që do të shfaqeshin para nesh. Si komunë por edhe si rajon, kishte një dekadë që kishim dal nga lufta, andaj popullata kishte nevojë për energji të reja të cilat do të përmirësonin mirëqenien dhe do të bënin më të mirën për të avansuar pozitën tonë si popull.
Disa nga ne kishin përvojën në jetën politike dhe publike, kurse rrugëtimit tonë i’u bashkangjitën edhe kuadro të reja dhe me ambicie të mëdha për të dhënë kontribut në çdo sferë.Dhe kur i bashkuam këto forca krijuam një ekip të jashtëzakonshëm i cili ndërtoi themelet e një partie politike moderne.
Në saje të këtyre gërshetimeve suksesi ishte i pashmangshëm. Andaj, pa u bërë ende një vit nga takimi i Këshillit Nismëtar, Partia Demokratike arriti që të triumfojë bindshëm në zgjedhjet e para lokale që u organizuan”, u shpreh Arifi.
Në këto 10 vite, Partia Demokratike ka realizuar projekte të ndryshme, për të cilat Arifi flet me plotë krenari. Në theks të veçantë ka unifikimin e faktorit politik shqiptar në Komunën e Bujancoit, për të cilët thotë se nuk ishte praktikë e mëhershme.
“Në kohëzgjatje prej 10 vitesh, PD ka udhëhequr me një mandat 4 vjeçar, një tjetër mandat ka qenë në opozitë, për t’u kthyer prapë në qeverisje vitin e kaluar. Jemi përpjekur që të realizojmë punë me rëndësi jetike. Kemi ndërtuar rrugë miliona eurosh që kanë lidhur pjesën e harruar të malësisë së Bujanocit me pjesën tjetër të komunës. Kemi ndërtuar edhe objekt univerzitar prej afro 1 milion euro, të cilin e kemi dhënë në shfrytëzim për nevoja të Fakultetit Ekonomik të Suboticës me degë në Bujanoc. Kemi renovuar sheshin e qytetit duke zëvendësuar arkitekturën sllave me arkitekturë moderne. Por, atë që do ta theksoja, se vitin e kaluar për herë, duke qenë fitues i zgjedhjeve kam arritur që të unifikoj faktorin politik shqiptar në Bujanoc, që nuk ishte praktikë e mëhershme, dhe sot Bujanocin jam duke e udhëhequr me një koalicion gjithëshqiptar”, theksoi ai.
Kryetari Arifi foli edhe për sfidat me të cilat janë përballur gjatë kësaj dekade, e të cilat nuk janë fare të lehta.
Ndër to, ai theksoi mungesën e investimeve në zhvillimin ekonomik, ikjen e të rinjëve e mungesën e teksteve shkollore, për të cilat u shpreh se nuk e shqetësojnë vetëm partinë e tij, por gjithë shqiptarët.
“Çdo rrugëtim ka sfida, andaj edhe në politikë sfidohemi ndoshta edhe më shumë. Partia Demokratike gjatë rrugëtimit të saj ka pas edhe momente jo të lehta. Të ballafaqohesh me problemet e shumta të qytetarëve në një shtet që të llogaritë si qytetar i rendit të dytë nuk është e lehtë. Mungesa e investimeve në zhvillim ekonomik nga ana e shtetit po krijon pa perspektivë, e cila po shoqërohet me ikje të të rinjëve drejt shteteve të BE-së, mungesa e teksteve shkollore, pasivizimi i adresave të qytetarëve shqiptarë dhe mosnjohja e diplomave të Univerziteteve nga Republika e Kosovës janë vetëm disa nga sfidat që e preokupojnë jo vetëm PD-në, por edhe gjithë shqiptarët në Luginë”, tha ai