FutbollSporti

ZYRTARE: MBROJTËSI JAN KRIVAK VISHET KUQ E ZI

Mbrojtësi 26 vjeçar ka firmosur kontratë profesionale dhe menjëherë vihet në shërbim të stafit teknik.

KF Shkëndija komunikon angazhimin e përforcimit të katërt në merkaton e janarit. Pas Ardin Dallkut, Valon Ahmedit dhe Aldair Netos, futbollisti i rradhës që bashkohet me kuqezinjtë është mbrojtësi i qendrës, Jan Krivak. Sllovaku 26 vjeçar ka kaluar me sukses ekzaminimet mjekësore dhe ka firmosur kontratë për 2,5 vite me Shkëndijën.

“Jam shumë i lumtur për këtë mundësi dhe premtoj se do të luftoj për objektivat e klubit. Vij në klubin më të suksesshëm vitet e fundit në Maqedoni dhe fakti që garon për tituj dhe për sukses në Europë më ka bindur të pranoj ofertën. Premtoj tifozëve se do të jam gjithçka nga vetja në terren”, shprehet Jan Krivak, pas zyrtarizimit të marrëveshjes me kuqezinjtë.

Krivak i grumbulluar dy herë me përfaqësuesen e Sllovakisë në Tetovë vjen nga kampionati elitar i Çekisë ku për dy sezone luajti me MFK Karvina, ndërsa katër sezone në atdheun e tij është paraqitur me ekipin Podbrezova.

KF Shkëndija futbollistit i dëshiron mirëseardhje, duke i uruar shumë suksese me fanellën kuqezi.