Lajme

Zyrtare: Kancelari Scholz më 10 qershor në Kosovë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të zhvillojë një vizitë në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme. Kosova dhe Serbia do të jetë stacioni i parë i vizitës së kancelarit gjerman të premten më 10 qershor.

Sipas zëdhënësit të kancelarit gjerman, Wolfgang Bichner, ndër të tjera është planifikuar një vizitë nga Scholzi te trupat gjermane të KFOR-it në Kosovë.

Më pas, ai do të udhëtojë drejt Greqisë me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, ku do të bashkohet në mbrëmje me përfaqësues të vendeve të nismës rajonale “Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)”.

Më 11 qershor, kancelari gjerman do të niset për në Maqedoninë e Veriut dhe më pas për në Bullgari.

Sipas një deklarate nga zyra e kancelarit, fokusi i udhëtimit të Scholzit do të jetë perspektiva e Bashkimit Evropian e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe. Përveç kësaj, tema qendrore do të jetë reagimi i mëtejshëm i përbashkët ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.