Zvicra rihap kufijtë për 19 vende jo Shengen
Turistët nga 19 vende jashtë zonës Shengen do të jenë në gjendje të hyjnë në Zvicër, nga e diela, sipas një liste të përditësuar sot nga autoritetet zvicerane.
Në qershor, Zvicra rihapi kufijtë e saj pa kontrolle ndaj shteteve të zonës Shengen dhe rivendosi lëvizjen e lirë të personave, veçanërisht me shtetet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat nuk konsiderohen më vende në rrezik.
Sipas urdhrit të fundit të Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, i cili hyn në fuqi më 16 gusht në orën 00:00, të gjitha shtetet jashtë zonës Shengen konsiderohen në rrezik, me 19 përjashtime: Andorra, Australia, Bullgaria, Kanadaja, Qipro, Koreja e Jugut, Kroacia, Gjeorgjia, Irlanda, Japonia, Monako, Zelanda e Re, Rumania, Ruanda, San Marino, Selia e Shenjtë, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji.
Për vendet që nuk konsiderohen në rrezik, hyrja nuk është më subjekt i kufizimeve antiCOVID-19, megjithatë, shtetasit e tyre mund të jenë subjekt i karantinës pas mbërritjes.