Shqipëri

Zvicra, Norvegjia dhe UNDP ndihmojnë Shqipërinë me 30 respiratorë

Qeveria zvicerane dhe norvegjeze, së bashku me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) ofruan të premten 700 mijë dollarë për blerjen e 30 respiratorëve të nevojshëm për pacientët e sëmurë me Covid-19 në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit përmes internetit.

Në total bëhet fjalë për një kontribut prej rreth 700 mijë dollarësh ( 330 mijë qeveria zvicerane, 300 mijë qeveria norvegjeze dhe 100 mijë UNDP-ja).

Zyra për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë bëri me dije se 30 respiratorët pritet të vijnë në Shqipëri brenda muajit prill.

Më herët qeveria ka deklaruar blerjen edhe të 54 respiratorëve të tjerë, për të siguruar kapacitetet në luftën kundër COVID-19.

Rasti i parë i konfirmuar i COVID-19 u regjistrua në Shqipëri më 9 mars dhe deri tani janë 416 raste të konfirmuara./opinion.al