Zvicra mban referendum për ta bërë homofobinë ilegale
Votuesit zviceranë do të votojnë të dielën për të vendosur nëse homofobia do të shpallet ilegale apo jo.
Në bazë të rezultateve të anketave, shumica e banorëve të Zvicrës e përkrahin të ashtuquajturin ligj anti-homofobi, i cili tashmë është miratuar në kuvend. Megjithatë, kundërshtarët e kësaj mase mblodhën numër të mjaftueshëm të nënshkrimeve për ta dërguar atë në referendum.
Zvicra vazhdimisht mban referendume për t’ua mundësuar qytetarëve marrjen e vendimeve në politikë në mënyrë të drejtpërdrejtë, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.
Në këtë referendum, votuesit do të pyeten nëse e përkrahin ndryshimin e miratuar në kuvend në dhjetor të vitit 2018 për t’i fuqizuar kodet juridike kundër nxitjes së urrejtjes dhe diskriminimit në bazë të orientimit seksual.
Kundërshtarët e këtij ligji kanë thënë se kjo masë paraqet shkelje të së drejtës për shprehje të lirë.
Nëse miratohet me referendum, ky ligj do t’i cilësojë ilegale denigrimet publike dhe nxitjet e urrejtjes ndaj njerëzve, të cilat bëhet në bazë të orientimit seksual.