Zmbrapset Qeveria e Kosovës, ndalesa për ceremonitë fetare nuk vlen për faljen e Bajramit
Një ditë pasi Qeveria e Kosovës ndaloi pjesëmarrjen e qytetarëve në të gjitha ceremonitë fetare, vetë anëtarët e kabinetit Hoti kanë ngritur dyshime nëse masa e vendosur do të zbatohet edhe në rastin e faljes së Bajramit nëpër xhamitë e Bashkësisë Islame të Kosovës, të premten.
Në vendimin e votuar nga Qeveria të martën, pika 16 thotë: “Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”. Falja e Kurban Bajramit, të premten, bie në këtë kategori ceremonish që me vendimin e Qeverisë është e ndaluar. Por, i pyetur për këtë ndalesë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vënë në dyshim zbatimin e masës së miratuar, raporton KOHA.
“As nuk ndalojmë e as nuk lejojmë falje të çfarëdo riti fetar. Kemi sjellë rekomandime e vendime për të ruajtur shëndetin. I kemi ndaluar të gjitha aktivitetet publike, qoftë edhe ato private. Vetëm për ta ulur numrin e ta zhdukim pandeminë. BIK-u është përgjegjës”, ka thënë Zemaj.
Para Zemajt, zbatimin e masës së vendosur për ceremonitë fetare e ka vënë në dyshim edhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila ka konsideruar se masa për ndalesën e pjesëmarrjes “në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës” nuk ka të bëjë me faljen e Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.
“E keni komunikatën e ditës së hënë, nuk ka ndryshim nga ajo që është thënë në atë komunikatë”, ka thënë sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu, i cili ka thënë edhe se në vendimet e fundit të Qeverisë nuk specifikohet se ndalohet falja e namazit të Kurbanit Bajramit.
BIK-u të hënën kishte vendosur për faljen e Kurban Bajramit me disa kufizime, si për shembull që në këtë ceremoni të marrin pjesë jo më shumë se 50 persona, të respektohet distanca, si dhe të mbahet maska.