Zbardhen bëmat e Mihal Kokëdhimës, e “kryqezojnë” turistët: Rrihte klientët prej 2015
Pamjet e shpërndara me shpejtësi në Shqipëri me protagonist Mihal Kokëdhimën, pronar i restorantit “Panorma” në Porto Palermo, dolën po aq shpejt edhe jashtë kufijve tanë, fillimisht nëpër forumet dhe faqet e internetit që shërbejnë si udhëzuese për turistët dhe më pas edhe nëpër faqet gjeneraliste të informacionit, në Itali e Spanjë.
Në rrjetin social Reddit, videon e ka publikuar grupi “Public FreakOut”, një komunitet me mbi 1.2 milionë ndjekës, që me ironi e sarkazëm shpërfaq me video dhe foto ndodhi të çuditshme dhe në kufijtë e reales nga e gjithë bota.
Videoja ka marrë mijëra komente në pak orë. “Sikur këto përpjekje t’i bënte për të përmirësuar shërbimin tek restoranti i tij…”, ishte njëri prej tyre.
Pikërisht shërbimi tek restoranti “Panorma” në Porto Palermo ishte molla e sherrit mes Mihal Kokëdhimës dhe turistëve spanjollë. Këta të fundit ishin shprehur të pakënaqur me vonesën e porosisë dhe në fund kishin vendosur që të largohen, pa u shkuar në mendje reagimi kaq agresiv i pronarit.
Restoranti në fjalë, ashtu si një pjesë e mirë e restoranteve dhe hoteleve përgjatë rivierës së detit Jon në jug të Shqipërisë, gjenden në “TripAdvisor”. Foto e publikuara të joshin dhe të sugjerojnë një ambient fantastik, me një pamje të mahnitëshme, plazhe me ujëra të kristalta, pjata të përgatitura me kujdes dhe të shijshme.
Por, fotot janë “karremi” që e kanë ngrënë shumë turistë. Në vlerësimin që ka marrë për shërbimin e përgjithshëm, restoranti i Mihal Kokëdhimës nuk kalon as nivelin mesatar. Në total janë 37 vlerësime, ku pjesa më e madhe e tyre janë negative. Në komentet shoqëruese të këtyre vlerësimeve vihet re se prej vitesh restoranti ofronte një tjetër shërbim nga ai që porositej.
Këshilla e përgjithshme që jepet nga komuniteti i turistëve në “TripAdvisor” ishte shmangia e këtij restoranit, që e vlerësojnë si një “kurth tipik për turistët”.
“Në fillim m’u duk gjithçka në rregull: një det i mrekullueshëm, ujë i kristaltë, aroma e peshkut ndjehej fort, por jo! Asnjë menu nuk na u dha, asnjë çmim i saktësuar, nuk mund të zgjidhnim ushqim tjetër përveç peshkut në zgarë me sallatë dhe verë. Pronari nuk dëshiron që ju të zgjidhni. Ai kërkon të shesë peshkun e tij shumë, shumë shtrenjtë. Peshku merret nga rezervati, që është përpara restorantit dhe më pas bëhet në zgarë. Duhet të prisni gjatë deri sa të piqet dhe situata bëhet akoma më keq. Një shishe verë e bardhë të vjen në tavolinë, edhe nëse nuk e ke porositur. Nëse e refuzon, stafi nuk duket fort i lumtur. Në fund, fatura është e majme, rreth 3-4 herë më shumë se çmimet normale në Shqipëri. Pronari shet peshk rezervati me të njëjtin çmim si peshku i detit. Ai nuk të pyet për peshën e peshkut që dëshiron, nuk ta tregon para se ta gatuajë, nuk të thotë asgjë, përveçse të kërkon paratë në fund. Seriozisht, më mirë gjeni ndonjë vend tjetër për të ngrënë”, shkruan në vlerësimin e vet një përdorues me pseudonimin “Aaa123aaa”, që më 1 shtator të 2016.
Një tjetër përdorues lë përshtypjet e tij në këtë forum më 21 dhjetor të 2015. Thotë se ka ndalur në këtë vend në gusht të 2015.
“Kujdes! Kushdo që shkon në atë vend, me gjasa do të sulmohet nga pronari! Për herë të parë që shkova atje, pashë sesi pronari goditi me grushte një çift vetëm sepse guxuan që të uleshin që të dy në të njëjtin shezlon. Djalit i theu hundën dhe u gjakos keq dhe situata u qetësua vetëm kur erdhi policia. Herën e dytë që shkova, pronari sulmoi një tjetër çift, këtë herë miq të mi. Edhe këtë herë erdhi policia, por pronari i kërcënoi edhe ata. Të gjithë miqtë tanë kanë patur një përvojë të ngjashme në këtë vend. Ushqim shumë i keq, shumë i shtrenjtë për atë çfarë të ofrohet. Paguan si në një hotel me pesë yje. Të shet peshkun e rezervatit si peshk të egër deti. Për mëngjes, dy vezë, dy gota qumësht, një racion reçel dhe një kafe kushtojnë 30 euro. Ju këshilloj që të qëndroni larg këtij vendi”, shkruan një tjetër.
Pjesa më e madhe e vizitorëve që kanë lënë përshtypjet e tyre për shërbimin dhe cilësinë në këtë restorant janë italianë dhe anglezë. Por ka edhe nga vendet e tjera, ndërkohë që nuk mungojnë as vlerësimet maksimale, megjithëse të pakta në numër. Në një prej tyre, një turist çek lëvdon si shërbimin, ashtu edhe kuzhinën dhe pamjet e ofruar.
Restoranti aktualisht është i mbyllur dhe e sigurtë është që videoja e përhapur këto ditë nuk do të ndihmojë Mihal Kokëdhimën në përmirësimin e imazhit të restorantit të tij dhe as në rritjen e vlerësimeve pozitive për “Panorma” në “TripAdvisor”.
Sa i takon debatit a e dëmton turizmin apo jo, nisur nga përvojat e së shkuarës, përgjigja anon nga “Jo”-ja. Mihal Kokëdhima nuk është i pari që sulmon turistë të huaj në Shqipëri. Në të shkuarën sulmet ndaj tyre kanë qenë edhe më të rënda, si në 2015, kur dy turistë çekë u vranë në zonën e Thethit. Ngjarja tragjike nuk i largoi çekët nga kjo zonë në vitet në vazhdim, pavarësisht bujës që pati edhe në Republikën Çeke.
Pra, më shumë se në klimën e turizmit në vendin tonë, videoja me protagonist Mihalin, për nga përmbajtja e saj, do ta vendosë Shqipërinë për herë të dytë në qendër të forumeve, rrjeteve dhe grupeve ironike e sarkastike të botës online. Hera e parë ndodhi në pranverë, kur përpjekja me spotin “Taken By Albania” për të joshur turistët me emrin e Liam Neeson, aktori protagonist në filmat “Taken”, u vlerësua nga mediat ndërkombëtare, përfshirë këtu britaniken “The Telegraph”, si slogani më i keq në botë.
“Miqësia” me Ramën nuk e shpëton Mihalin
Gjykata e Vlorës dha këtë të diel masën sigurisë “arrest me burg” për Mihal Kokëdhimën, por jo para se ky i fundit të shprehte habinë e madhe se përse çështja e tij kishte bërë kaq shumë bujë në publik, ndonëse është protagonisti kryesor i një videoje, që për nga dinamika do ta kishin zili edhe regjisorët më të famshëm të filmave aksion në Hollivud.
Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë ato të kanosjes dhe të dëmtimit të pronës private me dashje. 51-vjeçari i mohoi ato, madje tha se ai ishte viktimë e “agresionit të turistëve spanjollë dhe të shoqëruesve shqiptarë të tyre”.
“Nuk kam bërë asnjë gjë t’i sulmoja ata. U mundova t’i ndaloja. Ata nisën makinën dhe desh më shtypën. Ju luta gjithë rrugës të ndalonin, por ata nuk ndaluan. Xhamin e makinës e theva për t’u mbajtur. Kur ndaluan zbrita nga makina dhe shkova vetë lajmërova policinë dhe shkova në polici”, deklaroi ai.
Por, pretendimi i tij bie ndesh me pamjet e publikuara, ku për 3 kilometra shihet duke u përpjekur që të hyjë brenda makinës në ecje nga xhami i përparmë i saj, madje edhe në fund kur makina ndalon dhe ai zbret, pasi më parë i lutet shoferit që të ndalonte pasi ishte lodhur dhe nuk mund të qëndronte më përpiqet që të hapë derën nga ana e shoferit për ta sulmuar atë.
Pavarësisht kësaj, avokati i Mihal Kokëdhimës kërkoi që ndal klientit të tij të jepej një masë më e lehtë me pretendimin se askush nuk është lënë në arrest me burg për akuzën e dëmtimit të pronës me dashje. Nga masa e arrestit me burg nuk e shpëtoi as arsyetimi se i duhej të punonte për të siguruar arsimimin e dy fëmijëve në Gjermani dhe as deklarata kur thotë se “e ka mik Kryeministrin Edi Rama” në bashkëbisedim me avokatin e tij. Ky i fundit sqaroi pas përfundimit të seancës kontekstin e kësaj deklarate të klientit të tij.
“Tha që e ka Ramën mik pasi kryeministri do i ketë kërkuar votën dhe këta ia kanë dhënë. Siç ia jep 90 % e jugut”, tha ai duke shtuar se vendimin do ta apelonte dhe se kishte kallëzuar penalisht dy shoqëruesit e turistëve spanjollë.(Gazeta Si)