Lajme

Xhavit Haliti: Ndoshta jam takuar me Currin

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se ndoshta e ka takuar Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”.

Megjithatë, ka shtuar se nuk ka ndonjë raport me të apo me të tjerët që janë përfshirë në aferën e fajdeve.

Në Rubikon të KTV-së, Haliti ka thënë se asnjëherë nuk e ka takuar Rrahim Hashimin.

“Për herë të parë e kam parë në televizion Rrahim Hashimin. Nuk e kam takuar asnjëherë atë. Me dijen time, si emër si person asnjëherë nuk e kam takuar. Ndoshta jam takuar me Currin, të gjithë e njohin atë por s’kam ndonjë lloj raporti. Ata kanë qëndruar edhe në Shqipëri e janë takuar me politikanë. Me asnjërin prej tyre skam pasur shkëmbime të mesazheve”, ka thënë Haliti.

Tutje ai ka thënë se dyshime të mëdha rreth tërë këtij procesi.

“Pse ka shkuar si lëndë në Ferizaj me u trajtu. Besoj se kjo është një lojë për të pushuar çështjen. Nëse një zinxhirë e ka pushuar lëndën atëherë e kam të drejtën me dyshuar edhe për çështje të tjera. Ose është korruptuar dikush ose kanë marrë urdhër nga dikush”, është shprehur Haliti.

Haliti shprehet se është i qetë rreth përmendjes së emrit të tij.

“Kam kaluar këto faza dhe jam i qetë, pasi nuk jam i përfshirë në këto afera. Qëndrushmëria ime politike i pengon dikujt, kjo është e vërtetë. Askush s’më ka thirrë, është mirë me më thirrë me ditë se çfarë ju intereson. E kam raportuar këtë çështje dhe kam dërguar dosjen jashtë. Nuk po e frikësoj askënd”, ka thënë Haliti.

Haliti ka thënë se nuk e di përse videot dhe skandali janë publikuar tash, pas një kohe të gjatë.

Ai ka mohuar se ka ndonjë lidhje me spitalin në fjalë, ndërsa ka shtuar se nëse do, Policia mund të nxjerrë përgjigjen nga të arrestuarit.

Haliti ka thënë se edhe biznesmeni Dalladaku ka mundur të vërtetonte nëse ishte i përzier edhe vetë Haliti pasi ka shtuar se e njeh vëllanë e tij.

“Më së pari Dalladaku po të ishte i mençur ka mundur të më takonte personalisht sepse e njoh vëllanë e tij. Jam takuar shpesh me të e kurrë nuk më ka thënë a i ke marrë paratë e vëllait tim. Shihet që ai është në stres. Por nëse e kanë shit atë spital, ata i kanë fituar disa miliona nga ai spital. A ia kanë shitë atë spital Ekrem Llukës. S’po e di interesin e tij. Nëse dikush, e aty përmendem edhe unë, nëse kam qenë në mes të tyre atëherë e di edhe Ekremi. Edhe unë do të duhej të kisha njëfarë përqindje pasi do të ndërmjetësoja. Sipas kësaj del që Ekremi është edhe punëtor i imi. Nëse jam unë faktori atëherë do të duhej të ishte ngjarje e madhe e interesit nacional sepse po investohen para të mëdha. S’kam asgjë lidhje me këtë spital”, ka thënë ai.