Lajme

Wilson i kujton kosovarëve: Nuk ka marrëveshje me Serbinë, pa bërë kompromise të mëdha

Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë vetë rrugën drejt marrëveshjes përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, e cila mundëson arritjen e pajtimit historik, ka thënë zëvendëspresidenti ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson.

Sipas tij, marrëveshja nuk duhet të imponohet as në Bruksel e as në Washington. Wilson dhe një ekip i tij është duke qëndruar në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për të ringjallur angazhimin e SHBA-së në Ballkan; nxitur dialogun; si dhe për të kultivuar një gjeneratë të re të vendimmarrësve dhe ekspertëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këshilli i Atlantikut e ka bazën në Washington dhe së fundi ka propozuar edhe strategjinë e re që Shtetet e Bashkuara duhet ta ndjekin në Ballkan, për të evituar ndikimin rus dhe provuar reformat që mundësojnë integrimin drejt strukturave euro-atlantike.

“Koha Ditore” ka zhvilluar një intervistë me Wilsonin, i cili në agjendë ka inkurajimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse nuk ka përmendur kompromiset që kërkohen prej palëve, ish-këshilltari amerikan për Politikë të Jashtme ka folur për përfitimet nga arritja e marrëveshjes dhe rreziqet nëse dështon ajo.