VV dhe LDK nuk tregojnë se çfarë u diskutua në takimin e mbrëmshëm në Prapashticë
Albin Kurti dhe Isa Mustafa po e mbajnë të fshehur takimin që kanë zhvilluar mbrëmë në vilën e kreut të LDK-së në Prapashticë.
Zyrtarë të të dyja partive nuk kanë dashur të flasin shumë për takimin.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë për KTV-në se nuk e di se çfarë është diskutuar në takimin e mbrëmshëm mes dy liderëve.
Drejtuesit e dy partive kanë thënë se dy ditët e fundit të kësaj jave do të bëhet e pamundura për ta gjetur një marrëveshje për bashkëqeverisje, premtim që e kishin dhënë edhe përpara zgjedhjeve të 6 tetorit.
Albulena Haxhiu e VV-së dhe Vjosa Osmani e LDK-së, të dyja pjesë e ekipeve që kanë zhvilluar negociatat, kanë shprehur gatishmëri edhe për lëvizje prej ofertave të fundit.
Haxhiu, të cilën mandatari për ta formuar Qeverinë, Albin Kurti, e ka propozuar për ministre të Drejtësisë, ka thënë se Vetëvendosje është shumë e interesuar që sa më parë palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve.