Vulin sot në gjykatë për fyrjen e Shqiptarëve
Pas dy ikjeve të tij në dy seancat paraprake, Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vulin u paraqit sot më në fund në seancat e Gjykatës së Lartë në Beograd, për t’iu përgjigjur padisë së ngritur nga ana ime, për gjuhë të urrejtjes dhe qasje diskriminuese, për shkak të përdorimit të termit “šiptari”, në paraqitjet e tij zyrtare dhe publike.
Madje, Ministri i Policisë erdhi i shoqëruar me dhjetëra mbështetës me trup korpulent, për t’i bërë presion gjykatës.
Gjatë seancës dëgjimore, përveç që e konfirmova padinë, theksova se në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar do ta kundërshtoj institucionalizimin e gjuhës denigruese dhe fyese ndaj shqiptarëve në Serbi nga ana e zyrtarëve shtetërorë, duke e rikujtuar gjykatën se termi “šiptar” është edhe në kundërshtim me vetë përdorimin zyrtar dhe ligjor në Serbi, ku njihet ligjërisht termi “albanac”.
Kësisoj, si Ministër, z.Aleksandër Vulin, nuk po i mjafton që po i fyen bashkështetasit e tij shqiptarë nga pozita e ministrit dhe që po e shkelë gjuhën zyrtare të Republikës ku ai shërben si pjesë e kabinetit qeveritar, por tashmë edhe po e përdor pushtetin e tij ekzekutiv për t’i bërë presion gjyqësorit të Serbisë, ka shkruar kryetari i KKSh-së Ragmi Mustafa.